Historia Kisha Gurëz
Historia e Kishës
Kisha e parë në fshatin Gurëz u shugurua më 25 prill të vitit 1881 nga Imzot Raffaele D’Ambrosio dhe famullitari i asaj kohe ishte Dom Pashk Trokthi. Kjo Kishë, ishte e ndërtuar në breg të lumit Mat dhe i ishte kushtuar Shën Gjergjit. Ajo ka kryer shërbimin e saj deri në vitin 1930, vit në të cilin u prish nga lumi. Në vitin 1919 arriti në kishën e Gurëzit Dom Mati Fishta, i cili ndër veprimtaritë e tjera hapi edhe shkollën, një shërbim i shkëlqyer për komunitetin e kësaj zone katolike. Në vitin 1932 Dom Shtjefën Kurti filloi ndërtimin e Kishës me emrin “Zoja e Këshillit të Mirë”, që përfundoi në vitin 1939.
Dom Shtjefën Kurti
Pas transferimit në Tiranë të Dom Shtjefnit erdhi në Gurëz Dom Luigj Gashi, një prift patriot i larguar me forcë nga Gjakova për veprimtari patriotike. Pas vdekjes së tij erdhi në Gurëz Dom Anton Doçi e më pas Dom Mark Dushi. Për shkak të persekutimit të pashembull për Kishën e Gurëzit, ajo u mbyll më 12 shkurt 1967 ndërkohë që ishte prift Dom Marku. Komunistët e kthyen Kishën për disa vite në Vatër Kulture, më vonë e shndërruan në ofiçinë mekanike, sepse njerëzit vinin në Kishë në mënyrë masive, gjoja për të parë shfaqjet, por sigurimi i shtetit e kuptoi arsyen e vërtetë të ardhjes së tyre. Pas disa vitesh që funksiononte si ofiçinë, Kisha u shemb dhe mbetën vetëm themelet, të cilat janë ende sot. Nga Gurëzi dhe Kisha e tij kanë dalë Dom Zef Bici, Dom Prek Preku (Nikçi), seminaristët Gjergj Bici, Ndoc Vata, Frano Lulaj dhe pesë murgesha: Drane Gjergji, Marta Miri, Gjule Maçaj (Ndoja), Age Llesh Uci (motër Kamila), Mrika Ndue Meta.
Kisha e shkatërruar nga Komunistë
Kalvari i Kishës së Gurëzit dhe katolikëve të saj nuk qe i lehtë. Dom Mark Dushi e Dom Zef Bici u pushkatuan në Shkodër. Dom Prek Preku vdiq në burg i hedhur në gropën e gëlqerës. Dom Anton Doçi vdiq në burg dhe Gjergj Bici vdiq në internim pas 30 vitesh burgim. U burgosën dhe u torturuan Ndoc Vata e Frano Lulaj. U burgosën edhe disa nga motrat. Kjo zonë katolike u ndëshkua ashpër, 20 burra të pushkatuar, rreth 60 vetë të burgosur. Në Kishën e Gurëzit u zhvillua gjyqi-farsa i Dom Shtjefnit, i cili u dënua me pushkatim. U pushkutua afër Tiranës në shtator 1971. Eshtrat e tij nuk janë gjetur as sot e kësaj dite. Gjatë procesit, gjyqtari i tha Dom Shtjefnit: “Do t’i zhdukim nga themelet Kishat”. Dom Shtjefni iu përgjigj: “Ju mund t’i shembni, por për një gjë jam shumë i sigurtë, se do të ngrihen shumë më të bukura e më madhështore se këto”; dhe parashikim i Dom Shtjefnit doli. Në Gurëz pas rrëzimit të regjimit komunist u ndërtua një Kishë madhështore, e madhështore jo vetëm si kishë, por me një sërë ambjentesh funksionale për komunitetin, me kopsht fëmijësh, ambulancë, salla kompjuterash, sallë teatri, kënd lojrash, salla për katekizëm etj. Ajo u projektua dhe u ndërtua me shumë dashuri nga atë Michele Bulmetti dhe u përfundua me shumë përkushtim nga atë Giuseppe Civerra dhe atë Pasquale Nalli, të cilët konsoliduan punën e filluar nga Atë Michele. U shugurua më 4 prill 2004 nga mos. Rrok Mirdita. Në këtë Kishë është bërë një punë e madhe në të gjitha aspektet. Është punuar shumë për rikthimin e besimit te njerëzit. Shumë e rëndësishme ka qënë puna e bërë që në fillim të ardhjes në Gurëz të etërve e motrave me femijet dhe të rinjtë, për edukimin fetar të tyre, nëpërmjet katekizmit dhe kremtimit të sakramenteve.