Përshpirtëria

Ne Meshtarët e Zemrës së Krishtit....

…e paraqesim veten si “Dehonianë”, duke iu referuar me dashuri Themeluesit tonë, Shërbëtorit të Hyjit Atë Leon Dehonit. Propozojmë ta jetojmë dhe ta rijetojmë karizmën e Atë Dehonit, përshpirtërinë dhe veprën e tij në Kishë dhe në botë.

Kongregata Dehoniane, themeluar në vitin 1878, është përhapur me një gjallëri në rritje, duke u paraqitur si një përgjigje e vazhdueshme ndaj pritjeve shoqërore dhe fetare të njerëzve.

Me dashuri ia kushtojmë jetën dhe energjitë tona Zotit për të shpallur Ungjillin e Dashurisë dhe për t’u shërbyer vëllezërve dhe motrave tona, veçanërisht në situatat dhe zonat më të vështira dhe më në nevojë.

Përvoja jonë rregulltare është një mision dhe në të njëjtën kohë një propozim konkret, mbase një ftesë, për ata që, të gjallëruar nga Shpirti, ndihen të thirrur të japin dhe ta japin plotësisht veten, në mënyrë që Qytetërimi i Dashurisë të përhapet midis njerëzve e popujve dhe të vijë Mbretëria e Zemrës së Krishtit.

Leon Dehoni...

… lindi më 14 mars 1843 në La Capelle (Francë). Ndërsa ishte ende adoleshent, ndjeu thirrjen për t’u bërë meshtar, duke ndeshur kështu në kundërshtimin e prindërve të tij. Duke iu bindur vullnesës së të atit, ndoqi studimet për drejtësi në Paris dhe ra dakord që të bënte një udhëtim të gjatë, ofruar nga i ati me qëllim që t’i largohej kjo ide.

Gjatë dhjetë muajve vizitoi rajone të ndryshme të botës, duke përfshirë edhe Tokën e Shenjtë. Në fund të këtij udhëtimi të gjatë, Leoni kërkoi dhe u nis për Romë dhe hyri në Seminarin e Shenjtes Kiarë.

Më 19 dhjetor 1868 u shugurua meshtar, me praninë dhe miratimin tashmë të bindur dhe bekues të prindërve të vet. U emërua famullitar në Shën Kuintin, ku filloi misionin e tij me entuziazëm dhe menjëherë ndërmori nisma baritore në sektorë të ndryshëm: orator, kolegj, klubi të të rinjve, me punëtorët, aktivitete publicistike dhe botim të librave.

Edhe pse ishte një prift i shkolluar, me një përshpirtëri dhe një dinamizëm të thellë, kishte diçka që e shqetësonte: pas një shoshitjeje të gjatë mori vendimin të themelonte Kongregatën e Meshtarëve të Zemrës së Shenjtë të Jezusit, më 28 qershor 1878, ditën e kushteve të tij të para. Qëllimi i Kongregatës do të jetë kulti i dashurisë dhe i riparimit për Zemrën e Shenjtë të Jezusit dhe përhapja e Mbretërisë së tij te shpirtrat dhe në shoqëri.

Formimi kulturor dhe ndjeshmëria e tij bënë që ai të veprojë kryesisht në sferën sociale dhe atë misionare, duke përhapur mendimin shoqëror të Kishës përmes konferencave, artikujve, revistave dhe librave, përfshirë edhe Manualin Shoqëror të Krishterë.

E hapi Kongregatën edhe ndaj veprimit misionar, duke dërguar rregulltarët e tij në Amerikë dhe Afrikë.

Vdiq më 12 gusht 1925, në moshën 82 vjeçare.d

Përvoja jonë e fesë

Veçoria e devocionit tonë ndaj Zemrës së Shenjtë të Jezusit është bashkimi i thellë dhe i gjallë me Jezu Krishtin (mistik) dhe interesimi i ndjeshëm e i gatshëm për çështjet shoqërore dhe politike (politika).

Bashkimi me Jezu Krishtin orienton vizionin tonë të realitetit të jetës: personat, jetën e përditshme, shoqërinë. Dhe realiteti tregon gjurmët e Hyjit të gjallë, edhe sot. Jetën e përditshme e paraqesim në lutjet tona.

Gatishmëria, Eukaristia, adhurimi dhe bashkimi me Jezusin janë ende sot elemente thelbësore të Familjes Dehoniane, si p.sh. doktrina shoqërore, edukimi, grupet rinore, punëtorët dhe angazhimi shoqëror.

Kryqi dehonian - Domethënia

Në shikim të parë, kryqi me zemrën e hapur në mes, duket simetrik. Në një shikim të dytë, vihet re parregullsia e katër krahëve të kryqit. Edhe hapja në formë zemre është gjithashtu asimetrike. Efekti mbi vëzhguesin nuk është statik, por dinamik: Sikur zemra rreh në mes të kryqit.

Vështrimi i kryqit është orientuar drejt qendrës, zemrës. Në këtë mënyrë shprehen dy përparësi të jetës së krishterë:

  1. Logoja është një thirrje në favor të interpretimit biblik që e sheh zemrën si selinë e dijes: një kujtesë e fortë për të mos lënë pas dore udhët e zemrës, në mënyrë që të arrihet një kuptim i plotë i njohurive: “Ndiqe me ngul këshillin e zemrës sate, sepse s’ke askënd më besnik se atë. Shpeshherë ndërgjegjja e njeriut i përkujton të vërtetën më mirë se shtatë vrojtarë që vrojnë nga pirgu i lartë” (Sir 37, 17-18).
  2. Përparësia e dytë shkon drejtpërdrejt në zemrën e përshpirtërisë së Meshtarëve të Zemrës së Shenjtë të Jezusit: “Dashuria më e madhe që ndokush mund të tregojë është: të japë jetën e vet për miqtë e vet “ (Gjn 15,13). Duke parë kryqin shohim menjëherë zemrën. Shohim vuajtjet e Krishtit dhe njohim dashurinë e tij. Logoja është realiste; po, vuajtja, dhimbja, kryqi janë realitete në jetën tonë dhe në jetën e Jezusit. Por ne shpallim një fe që nuk ndalet thjesht te dhimbja, vuajtja dhe kryqi. Në mes të vuajtjeve nuk zhytem në errësirën e humnerës, por zbuloj dashurinë gjithnjë e më të madhe të Hyjit dhe të Birit të tij, “i cili më deshi dhe e flijoi vetveten për mua” (Gal 2, 20).

Atë Dehoni i shprehte të gjitha këto në këto fjalë: Jezu Krishti është me të vërtetë, në misteret dhe mundimet e tij, Libri i shkruar nga brenda dhe nga jashtë. Dhe cilat janë shkronjat që shohim të përvijuara në këtë Libër? Vetëm këto: Dashuri. Fshikullimet, ferrat, gozhdat, i kanë shkruar me shkronja gjaku në mishin e tij hyjnor; por le të mos mjaftohemi me leximin dhe admirimin e këtij shkrimi hyjnor nga jashtë; të depërtojmë deri në zemër dhe do të shohim një mrekulli shumë më të madhe: është dashuria e pashtershme dhe e pafundme që vlerëson si asnjë gjithçka që vuan dhe që dhurohet pa u lodhur” (Oeuvres Spirituelles II, 305).

Në këtë logo zemra në qendër të kryqit nuk është thjesht vizatuar, por është ndërtuar nga një “hapësirë e lirë”. Jemi të ftuar që ta mbushim këtë hapësirë boshe me jetën tonë. Jemi të thirrur që të jemi të vëmendshëm ndaj përvojës me një Atë të dashur, të cilin Jezusi e quan ‘Abba’; të vëmendshëm ndaj çdo përvoje dashurie që mbështet vuajtjet.

Duhet të jemi afër njerëzve, veçanërisht në situata vuajtjesh, dhune dhe padrejtësie, në mënyrë që edhe në jetën e tyre dhe në shoqëri, të gjejnë vend bamirësia, mëshira dhe drejtësia.

The Best Experience Ever

Tekst